Home | Sociale | Pesë minuta punë

Pesë minuta punë

image Nje grua shtatezene

Aborti tek të rinjtë po rrezikon të kthehet në një gangrenë për shoqërinë shqiptare. Nga moskokëçarja dhe mospërdorimi i mjeteve mbrojtjëse, tek mungesa e komunikimit në familje...

Nga Anduela Nika
Hyri me hapa të shpejtë dhe foli fare pa ceremoni. “Dua të heq një, po pak shpejt se jam për të ikur në pab”. 27 vjet punë të gjinekologes u bënë pluhur para kërkesës së 17 vjeçares me dekolte, që pa i bërë syri tërr priste përgjigjen e saj. Linda D, kishte vetëm dy muaj që kishte abortuar dy binjakë dhe atë ditë kishte vendosur të “hiqte qafe” një tjetër embrion. Sepse do ta pengonte për të kërcyer atë natë në pab. Gjinekologia ishte thuajse në gjendje shoku. U orvat t’i mbushte mendjen, se ishte një çmenduri dhe se nuk mund ta bënte. Por zëre se nuk kishte folur fare. “Më fal moj zonjë. A do ma bësh, se ika te tjetra”, dhe sakaq kishte trokitur takat dhe kishte lënë klinikën. Ndoshta tek tjetra që trokiti, nuk e mori Jo-në për përgjigje. Me një pagesë prej më pak se 10.000 lekësh të reja dhe me një emër të rremë, mund të abortosh. Edhe kur je minorene. Sepse në fund të fundit, aborti është i lirë. Askush nuk të dënon sot nëse aborton, sepse është i ligjëruar. Por çfarë ndodh kur je vetëm 17 vjeçe dhe heqjes së një fëmije i jep të njëjtën rëndësi si heqjes së një dhëmballe?! “Ta heq dhe të shpëtoj”!
Sot të rinjtë e jetojnë më lirshëm seksualitetin e tyre, krahasuar me 15 vjet më parë. Shumë më lirshëm. Afërmendsh që kanë më shumë informacion rreth seksit, flasin pa drojë për të dhe lajmi i fundit i modernizmit: Djemtë nuk e shohin më si domsdoshmëri virgjërinë e partneres. Por ja që ky “informacion i bollshëm” sërish përfundon tek shtatzania e padëshiruar dhe kur vjen puna tek aborti, atë e bëjnë me lehtësinë më të madhe. Shifrat deri diku janë kontradiktore. Në maternitetin e Tiranës “Koço Gliozheni”, bëhet e ditur se ka një rënie të numrit të aborteve, por kjo kurbë nuk përfaqëson realitetin. Një pjesë shumë e madhe e tyre bëhen në klinika private, të cilat nuk raportojnë në organet përkatëse për numrin e aborteve apo ndërlikimet që ndodhin gjatë procesit. Vetëm gjatë një kontrolli të kryer në një nga klinikat private në Tiranë, të bërë publik dhe në shtyp, ka rezultuar se në 10 muajt e parë të vitit 2005, janë kryer 560 aborte të vullnetshme, përafërsisht sa në një klinikë shtetërore universitare. Adoleshentët nga mosha 15-20 vjeç, mendohet të zënë afërsisht ¼ e aborteve. Duke përforcuar atë që thamë më lart, abortet e kësaj grupmoshe në një klinikë shtetërore zënë 25 % të rasteve, ndërkohë, që në një klinikë private kjo grupmoshë zë rreth 50%.
Një studim i kryer së fundmi nga Instituti i Shëndetit Publik i kryer në rreth   5000 gra dhe 2000 mijë meshkuj në të gjithë vendin, ka evidentuar shkaqet pse një pjesë e femrave nuk kanë dëshirë të regjistrojnë kryerjen e një aborti. Sipas të dhënave të studimit rezulton se, mungesa e statistikave të plota mbi kryerjen e abortit në Shqipëri ka ardhur edhe si pasojë e ekzistencës së shumë klinikave të palicensuara. Ky fakt është një tregues i qartë për fshehjen e të dhënave. Nga 27 mjekë të sektorit publik të intervistuar, pjesa më e madhe e tyre kanë pranuar se nuk raportojnë abortet, pasi u kërkohet të ruajnë anonimitetin e grave. Studimi thekson se kjo gjë bie ndesh me detyrimet ligjore të këtyre mjekëve, të cilët duhet që një herë në 6 muaj të raportojnë të dhënat për numrin e aborteve të kryera. Për sa i përket kurbës së abortit, klinikat private janë ato që raportojnë një kurbë në rritje të abortit që, më së shumti kryhen në Tiranë. Sipas të dhënave në rrethe, të bëra publike nga ky studim, numri i aborteve është disa herë më i ulët. Ky shkak mund t’i atribuohet, sipas specialistëve, migrimit të brendshëm nga qytetet e tjera drejt Tiranës, gjë që gjithashtu tregon të ardhura më të larta ekonomike.

Ulja e moshës së kryerjes së marrëdhënies së parë seksuale, është një tregues i shtimit të aborteve tek të rinjtë, të cilët përdorin më rrallë mjete kontraceptive dhe bashkëveprojnë me shumë partnerë. “Kemi një shtim të frekuencës së veprimtarisë seksuale, sidomos tek të rinjtë. Janë shtuar edhe variacionet seksuale, por njëkohësisht, ndeshen më tepër raste të devijancës dhe perversitetit seksual si pedofilia, molestimi i fëmijëve, dhuna seksuale në familje, shqetësimi seksual në vendet e punës, përdhunimet, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, abortet”, thotë për Klan sociologu Edmond Dragoti.  Ndryshimet social-ekonomike, zhvillimet e shpejta “vertikale dhe horizontale” të shoqërisë sonë, sipas tij nuk mund t'i shmangin dot këto dukuri negative shoqëruese. Demokracia dhe toleranca shoqërore e zbehin disi cilësinë e veprimtarisë seksuale, ngaqë e çlirojnë nga tensionet dhe emocionet shoqërore, morale e politike të shoqërisë. “Nga të dhënat e studimeve të sotme, del se veprimtaria seksuale në vendet e Europës Lindore, 16 vjet pas rënies së komunizmit është dobësuar”, bën të ditur Dragoti. Ndërkohë që për andrologun Evin Dani, për vendin tonë kjo është rritur. Sipas tij të rinjtë sot bëjnë më shumë seks, por nga ana tjetër edhe rrezikojnë më shumë të mbartin një sërë sëmundjesh seksualisht të trasmetueshme dhe shtatzani të padëshëruara nga mosmbrojtja. “Edhe pse sot ka më shumë informacion për seksin dhe të rinjtë janë sigurisht, shumë më të shpenguar, sërish mbrojtja tek të rinjtë është e paktë”, thotë andrologu Dani. Rezultat i së cilës janë sëmundjet sekualisht të transmetueshme e shtatzanitë e padëshëruara që vijojnë me zgjidhjen e tyre më të shpejtë, abortet. Përpos ndryshimeve që pëson në psikikë me një gjendje të rënduar emocionale, tek një vajzë 16 vjeçare që kryen një abort, mund të shkaktohen dhe dëme të pariparueshme, si sterilitet, çrregullime në cikël, infeksione të rrugëve gjenitale, në qoftë se kryhet në kushte jo sterile. Aborti i provokuar ndonjëherë ka shkaktuar edhe vdekjen e nënës.
Dëshira për të mos pasur fëmijë, që kuptueshëm nxitet edhe kushtet ekonomike,  papunësia dhe, nga ana tjetër, mospërdorimi i “metodave të planifikimit familjar”, thënë ndryshe kontraceptivët dhe prezervativët, janë disa nga shkaqet që çojnë në kryerjen e një aborti. Shumica e vajzave shqetësohen nga mendimi negativ i “të tjerëve”, çka të çon në përfundimin se “shpengimi shoqëror” sërish nuk pengon stigmatizimin, sidomos të femrave të pamartuara. Përpara vitit 1992, abortet ishin ilegale, ndërkohë që tani ai është krejt i ligjshëm. Kjo ka sjellë dhe një rritje dramatike, gjatë periudhës 1992-1996, me më shumë se 40 aborte për 100 lindje të gjalla. Sipas të dhënave të bëra publike nga studimi i ISHP, në vitet e fundit përqindja e aborteve është zvogëluar. Por ja që mungojnë tërësisht statistikat në lidhje me numrin e aborteve që kryhen nga adoleshentët, kur nga ana tjetër, nën zë në klinikat private gjinekologët pohojnë se përqindja dërrmuese e aborteve kryhet pikërisht nga kjo kategori. “Nuk mund ta mbaj dot, sepse i dashuri do të më lerë”, apo “do më përzërë familja nga shtëpia”, janë komentet që dëgjon të thuhen më shpesh prej tyre në kontaktin e parë që bëjnë në klinikë. “Në më të shumtën e rasteve ato shoqërohen nga të dashurit ose nga ndonjë shoqe”, thotë gjinekologia e një klinike private në zonën e Tiranës së Re, e cila nuk do të identifikohet me emër, ashtu sikurse dhe vajzat që bëjnë abort në klinikën ku ajo punon.

Pavarësisht se është e ligjshme, kryerja e një aborti shihet me një sy jo të mirë nga shoqëria. E cila vetëm gjykon dhe nuk shqetësohet shumë që t’u japë një edukatë të mirë seksuale të rinjve. Përkundër bisedave në lokale dhe grupe shokësh, në familjet shqiptare konsiderohet ende një tabu diskutimi i seksit. Pavarësisht informacionit të shumtë që mund të marrin të rinjtë për seksin, sërish roli i familjes mbetet thelbësor në edukimin e këtyre të rinjve. Gjë që mungon. E njëjta gjë vlen më pas dhe për abortin, i cili konsiderohet një turp, edhe pse është një fenomen që ndodh rëndom. Të mbingarkuar nga problemet ekonomike, prindërit nuk arrijnë që të gjejnë kohë që të flasin me fëmijtë e tyre. Mësuesit mbeten shpëtimtarët e vetëm, por dhe për ta sigurisht që nuk është e lehtë. Në një klasë me të paktën 40 “teenager-sa” ku flitet për seksin, duhet të jesh i pranishëm për të parë se çfarë reagimesh mund të ketë. Sigurisht shumë të qeshura dhe aspak vëmendje, për diçka që në fund kur të arrijnë ta përjetojnë në vetën e parë, nuk do të  tingëllojë dhe aq për të qeshur. Një sëmundje seksualisht e trasmetueshme, por dhe një abort. Dhe nëse të parës, të rinjtë ja kanë më shumë frikën, të dytën e konsiderojnë si heqjen e një dhëmballe. “Hë mo, se 5 minuta punë janë”, thonë djemtë kur flitet për abortin. Një moskokëçarje që përcillet më pas tek partneret e tyre, të cilat me këtë “lehtësim në shpirt” popullojnë klinikat gjinekologjike. Duke rrezikuar shumë. Të ardhmen e tyre, ndoshta dhe jetën.


Anonimati, që fsheh të dhënat
Edhe pse nga Ministria e Shëndetësisë, që prej disa muajsh raportimi periodik i aborteve është vënë kusht për dhënien e licencës, një gjë e tillë nuk ndodh. Në studimin e ISHP-së janë intervistuar mjekët obsetër- gjinekologë në 12 klinika private. Sipas tij të gjitha klinikat private kishin një sistem të brendshëm për regjistrimin e numrit të aborteve që kryheshin, por asnjë person nga stafi nuk kishte njohuri, apo përdorte formën zyrtare të raportimit të të dhënave. Shkaku kryesor që i detyron mjekët që punojnë në këto klinika për të mos u kërkuar të dhëna pacientëve është vetë kërkesa e vajzave dhe për të ruajtur fshehtësinë. Frika se mos humbasin klientelën i detyron ata të mbajnë këtë qëndrim. Numri i saktë i aborteve të kryera sipas specialistëve të ISHP në klinikat private mund të jetë shumë më i lartë. Duke qene se është e vështirë të përcaktohet numri i saktë i mjekëve që kryejnë abort privatisht, është e pamundur të vlerësohet numri i aborteve të kryera nga klinikat private.

 

20 janar 2007
Publikuar ne revisten "Klan"

Comments (1 posted):

Sajmir on 02 April, 2008 12:28:09
Urimet me te mira! Thelbi i drames shqiptare. Ato pese minuta kenaqesi qe zbehen ne pak sekonda, ku nje Krijese mbytet, flaket, percmohet. Nese nena e personazhit tend do e dinte se e bija do flakte pa te keq pese krijesat e saj, me siguri ajo do e flakte...qe ne embrion. Urime Anduela, nje shkrim qe te mbetet ne mendje. Jam i sigurte qe te ka zgjatur me shume se pese ore perkushtim.
Post your comment comment
// Rate this article
0