Biznesi do dialog
Philip Bay, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë flet per Klan. Kompanitë amerikane kërkojnë një fushë loje me një sistem ligjor funksionues, kur në treg ndodhin abuzime. Favorizime as nuk kërkojnë e as i duan. Ndikimi i krizës ekonomike, rritja e investimeve, debati i dy liderëve kryesorë të politikës dhe përfitimet e biznesit
I renditur ndër njerëzit që e ka për hobi të bëjë mentorin për stafin vartës, partner në një nga real estate-t më të mëdha në botë, Philip Bay është vënë në krye të Dhomës së Tregtisë më me influencë në Shqipëri. Asaj Amerikane. Energjik dhe me një formim gazetaresk, por tashmë me një ditë rreptësisht të programuar, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri të përgjigjet përgjithsisht shkurt. Duke e njohur impaktin e përgjigjeve të një titullari amerikan në Shqipëri në një situatë zgjedhore, preferon formulimin diplomatik të përgjigjeve pavarësisht nga ngulmimi. Ai bën të qartë se një biznesmen amerikan as e do dhe as ka nevojë për lëshime, apo trajtime preferenciale, mjafton që rregullat e lojës të jenë “fair”. Vlerëson zhvillimin e kuadrit ligjor në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit, pa harruar të shtojë që mbetet akoma punë për t’u bërë në këtë drejtim. Shprehet se kriza ekonomike ka efektet e veta në ekonominë shqiptare duke vënë në dukje se është fati jonë, nëse mund të quhet fat, që deri tani skemi bursë aktive dhe sistemi bankar shqiptar nuk është shumë i komplikuar, sepse në një rast të kundërt pasojat do ishin më të thella.
Mbase i tërhequr nga eksperienca e vendit nga vjen, shprehet në favor të debateve apo dueleve publike të krerëve drejtues të partive të mëdha politike, pa harruar të shtojë se pavarësisht kush fiton, ai dhe institucioni që drejton pret më shumë nga qeveria e ardhshme sidomos në drejtim të rritjes së dialogut dhe mundësive ndaj brezit të ri.
-Zoti Bay, cili është saktësisht roli i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri dhe cili është përfitimi i anëtarësimit në të për një biznes shqiptar?
Roli i Dhomës Amerikane të Tregëtisë konsiston në promovimin e praktikave etike dhe profesionale të biznesit në sektorin privat. Roli ynë është gjithashtu sa më gjithëpërfshirës të jetë e mundur. Në rastin konkret, ne po promovojmë përfshirjen e grave në biznes në të gjitha nivelet e drejtimit dhe si organizëm ne kemi filluar të përfshijmë të rinj profesionistë të punojnë për ne. Përfitimet e Dhomës Amerikane nisin në të vërtetë, me bashkëpunimin dhe ndërlidhjen me biznesmenët, të cilët janë seriozë në bërjen e suksesshme të biznesit të tyre nëpërmjet bashkëpunimit me firma dhe drejtues të tjerë profesionistë. Si anëtar i Dhomës, gjithashtu të krijohet mundësia që të dëgjohet opinioni yt në nivele më të larta qeveritare se sa organizata të tjera të ngjashme.
-Për vite me rradhë, Panairi i Punës është një nga aktivitetet kryesore të Dhomës. Sa ka ndikuar në punësimin e të porsadiplomuarve ky panair dhe çfarë mendimi kanë për këtë bizneset e mëdha shqiptare?
Panairi vjetor i punës është institucionalizuar në Shqipëri. Me qindra aplikues të kualifikuar marrin pjesë çdo vit dhe shumë kompani të mëdha e dinë se ky forum mbledh kompanitë më të mira me disa prej të sapodiplomuarve dhe të punëkërkuesve më të kualifikuar. Njerëzit e mirë ndikojnë tek njerëzit e mirë.
-Ndërsa shumica e vendeve të Europës Perëndimore, Amerika dhe Japonia po vuajnë pasojat e krizës globale, Shqipëria sipas një raporti të fundit të FMN njihet si një vend me rritje ekonomike pozitive. Cili është opinioni juaj për këtë?
Lajm i mirë, nëse mund të quhet i tillë, është se Shqipëria nuk ka bursë për momentin. Ky fakt ka eleminuar shumë nga spekullimet që mund të ndodhnin në treg dhe ka parandaluar “paranë e nxehtë” nga investimet hyrëse dhe dalëse në Shqipëri për momentin që flasim.
Një tjetër lajm i mirë është sistemi bankar, megjithëse shumë profesional në Shqipëri, nuk është aq i sofistikuar, që të ndërmarrë transaksione të komplikuara dhe “blloqe kontratash” me hua të huaja, të cilët ishin në shitje në mbarë botën. Bankat në Shqipëri janë të fokusuara në pjesën më të madhe në praktikat bazë të kreditimit dhe shqiptarët akoma nuk janë bërë konsumatorë të mëdhenj, si fqinjët e tyre në Greqi apo Itali. Të gjithë këto faktorë dhe të tjerë, i kanë mbajtur larg efektet e krizës ekonomike globale në Shqipëri deri tani. Megjithatë, ne në Shqipëri po e ndiejmë krizën dhe shumë kompani do të miratonin faktin që në nivele të ndryshme ngadalësimi zyrtarisht ka mbërritur.
-A e konsiderojnë bizneset amerikane situatën e sotme ekonomike shqiptare të favorshme për investime? Kuadri ligjor aktual shqiptar dhe gjendja e tregut bankar a e favorizojnë rritjen e investimeve amerikane?
Më lejoni të qartësoj diçka: Kompanitë dhe investitorët amerikanë nuk duan dhe nuk kanë nevojë për ndonjë favor të veçantë, kur vjen puna tek të bërit biznes në Shqipëri. Kompanitë amerikane kërkojnë një fushë loje me një sistem ligjor që funksionin, kur në treg ndodhin abuzime. Kuadri ligjor, megjithëse nuk është perfekt, është përmirësuar dukshëm gjatë dy viteve të fundit.
-Çfarë pret Dhoma Amerikane nga qeveria e ardhshme shqiptare?
Ne presim nga qeveria të forcojë si duhet ligjet ekzistuese, akoma më mirë nga sa sot. Së dyti, ne duam të kemi më tepër dialog të herëpashershëm me qeverinë në nivelet më të larta. Dhoma Amerikane është një partner, ne duam që Shqipëria të jetë e shëndetshme dhe të krijojë shumë më tepër mundësi për të rinjtë sot dhe në ardhmen. Të rinjtë janë burimi më i çmueshëm i këtij vendi.
-Në situatën e sotme elektorale, a mendoni se është në të mirë të biznesit të njohë vizionin për ekonominë dhe biznesin të dy kandidatëve për kryeministra të ardhshëm, Rama e Berisha?
Të dy, si kryeministri Berisha dhe kryetari i bashkisë Rama janë deklaruar pro biznesit. Të dy, duan ta shohin Shqipërinë të bëhet anëtare me të drejta të plota të BE dhe të dy partitë lobuan fuqishëm pro anëtarësimit në NATO. Kështu që çdo diferencë midis kandidatëve më tepër është stilistike sesa thelbësore. Kjo është një shenjë e maturimit politik.
-Ndoshta do të ishte mirë t’i shihnim së bashku pse jo dhe në një debat?
Aktualisht ne po bisedojmë me të dy kandidatët dhe po presim me padurim këtë mundësi. Procesi demokratik shqiptar tashmë mund të thuhet se është i konsoliduar dhe të dy partitë e mëdha kanë luajtur një rol pozitiv në këtë zhvillim. Shqiptarët tani mund të jenë krenarë për demokracinë dhe të ardhmen e tyre.
“Panairi i punës”, hapi dyert për 115 vende
Të rinjtë profesionistë apo ata që duan të bëjnë karrierë, një herë në vit kanë mundësinë të përballen me kompanitë më prestigjioze në vend dhe të konkurrojnë për pozicionin e punës, duke ndryshuar kështu mentalitetin se në Shqipëri puna mund të gjendet vetëm nëpërmjet miqve. Prej gati 9 vjetësh Dhoma Amerikane e Tregëtisë iu ofron të rinjve mundësinë e punësimit në kompanitë më të mëdha në vend. “Panairi” i këtij viti ka treguar për mundësitë e mëdha që mund të kenë jo vetëm të rinjtë, por dhe punonjësit e karrierës për të gjetur pozicione më të mira pune në kompani prestigjioze vendase dhe ndërkombëtare. Ndërsa flitet për një reduktim të ndjeshëm të aktivitetit të biznesit si dhe shkurtim të vendeve të punës, ky aktivitet bën të mundur ekspozimin e një realiteti ndryshe. Në këtë edicion ishin 18 kompanitë më të njohura në vend nga fusha e telekomunikacionit, bankave, ndërtimit, prodhimit, studiove audituese, të cilat kanë hedhur në tregun e punës 113 vende të lira për pozicione të ndryshme, si: ekonomist, financier, inxhinier, arkitekt, operator teknik dhe agjent shitjeje. Nëse në fillimet e veta “Panairi i punës” ka ofruar më shumë forca të reja në punë, më pas rritja e interesit nga ana e kompanive ka bërë që në këtë treg pune të hidhen edhe pozicione mjaft prestigjioze. Nëpërmjet këtij aktiviteti, kompanitë e mëdha duan të punësojnë ekonomistët financierët, arkitektët, avokatët apo inxhinierët që mund t’u besojnë plan-bizneset. Përballja e punëdhënësve dhe punëmarrësve gjatë dy ditëve të “Panairit” tregon se cilat janë nevojat e kompanive për punonjës, profesionet më të preferuara dhe sa janë të përgatitur dhe profesional punonjësit për këto vende.
12 Qershor 2009




Download attachment >>
del.icio.us
Digg
Comments ( posted):
Post your comment