Home | Ekonomi | Duam gazin e botës

Duam gazin e botës

image Tubacione te nje gazsjellesi

Përplasja e projekteve të gazsjellësve nga Azia në Europë. Grekët përballë zvicerianëve me Shqipërinë në mes. Një çështje që i kapërcen kufijtë ekonomikë, duke u shtruar në aspektin gjeopolitik.

Nga Anduela Nika

Me po aq puse sa në kohën e gjeneral Gramafonit, po na bie rasti të jemi ura e Europës për gaz. Jo me gazin tonë, me të botës. Do e marrim nga Kaspiku e do ia hedhim BE-së. Të paktën për një herë bashkësia europiane duket se na e ka “nevojën”. Ne në fakt nuk kemi bërë asgjë për ta përfituar këtë vëmendje. Thjesht ndodhemi në një pozitë të favorshme gjeografike. Korridori i 4 i gazsjellësit që do të furnizojë Europën do të kalojë nëpër Shqipëri. Dhe kjo mjafton që shtete të tjera si Kroacia apo Bosnje&Hercegovina të na shohin më me shumë dashuri. Aq sa dhe zv/ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës, z Neritan Alibali mbeti pa fjalë kur në takimin që pati pak kohë më parë në Kroaci në lidhje me gazsjellësin e ri, homologët e tij shfaqën një dashuri të pa parë për vendin tonë. Kanë nisur të na duan shumë, sepse ne do ju japim gaz.  Por dhe do marrim. Përfitimet e Shqipërisë nga projekti i Trans Adriatic Pipeline, që do të zbatohet nga kompania zviceriane EGL, janë aq të mëdha, saqë kanë ngjallur dhe xhelozinë e fqinjëve grekë, të cilët kanë paraqitur gjithashtu një projekt të tyrin, i cili e anashkalon tërësisht Shqipërinë. TAP (kështu njihet projekti i kompanisë zviceriane) do ta marrë gazin nga Deti Kaspik dhe do të kalojë në Turqi, Greqi, Shqipëri e më pas në Itali, ku do të ngrihen disa tece. Nga Shqipëria më pas do të vijojë një tjetër gazsjellës, Ionian Adriatic Pipeline, i cili do të furnizojë me gazin e Kaspikut, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Kroacinë. Nëse miratohet projekti grek, i cili i bie tangent Shqipërisë, atëherë ne së bashku me dhe fqinjët tanë kroatë e malazezë automatikisht i themi lamtumirë projektit IAP. “Më shumë se sa një luftë për gaz, kjo është një luftë politike”, thotë për “Klan”, Neritan Alibali, zv/ministër i Ekonomisë: “që tregon se kush nga të dy vendet do të jetë më i fortë”. Nga ana jonë duket se është dhe Banka Botërore. Në një takim të pak ditëve më parë me ministrin e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli ata janë shprehur entuziastë dhe kanë kërkuar që të jenë mbështetës të IAP, projekt i inicuar nga pala shqiptare. Duke konfirmuar kështu dhe pozicionimin e tyre në favor të projektit të kompanisë zviceriane, TAP. “Projekti grek fut në Shqipëri vetëm një tubacion. Ne furnizohemi me gaz, por nuk mund të furnizojmë të tjerët, pra të vemë në jetë projektin IAP, i cili ka një rëndësi shumë të madhe për ne si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ajo politike”, vëre Alibali. Ndërkohë mësohet që nga pala shqiptare janë intensifikuar marrëdhëniet me palën turke, nga ku do të vijojnë dhe tubacionet e gazit. Të njëjtën gjë ka bërë dhe pala greke. Kryeministri grek Kosta Karamanlis do të udhëtojë këtë muaj në Turqi, për të qenë vetë prezent në fazën e hapjes së projektit të gazit Turqi-Greqi dhe për të bërë dhe ai lobingjet e nevojshme.

Të dy projektet synojnë furnizmin e Europës me gaz, dhe të dyja përfundojnë në Itali. Ai grek do të ketë një gjatësi prej 800 km, nga të cilat 600 do të ndërtohen në Greqi dhe 200-300 në bregdetin jonian. Ndërsa projekti i TAP, ku përshihet dhe Shqipëria ka një gjatësi prej 570 km, ku vetëm 90 km do të jetë gjatësia në det të hapur nga Vlora në Leçe të Italisë. Projekti grek mendohet në nisë në mesin e vitit 2008 dhe gazsjellësi mendohet të bëhet operativ në vitin 2011. Ai i TAP, do të nisë në fillim të 2008 dhe do të bëhet operativ në 2010. Pra një vit para projektit grek, ndërkohë që kapaciteti i TAP pritet të jetë në fazën e parë 10 miliardë Nm3 me zgjerim në fazën e dytë, deri në 20 miliardë Nm3, përkundrejt 11.5 bilion Nm3 të projektit grek. Kosto totale e projektit grek do të jetë 950 milion euro, nga të cilat 600 milion do të jenë për seksionin grek. Ndërkohë kosto e parashikuar nga TAP do të jetë 500-700 milion euro. Këtu Shqipëria nuk paguan asnjë qindarkë, përveçse vjel taksën e kalimit të gazit si dhe i krijohet mundësia që nga tubacioni kryesor i TAP të zhvillojë gazsjellësin tjetër IAP. Media ndërkombëtare ka kohë që e ka nuhatur luftën e re europiane të gazit. Në një artikull të Associated Press, Christos Dimas, menaxheri i përgjithshëm i Thrace/HELPE Consortium, thotë se kjo nuk është më vetëm një çështje ekonomike, por gjeopolitike. Konkurenca nga pala e greke është e fortë dhe më shumë se kushdo i druhemi ne. Por përfshirja e disa vende mike në projektin e TAP, duket se na vë në një pozicion favorit. Ky projekt është miratuar nga Komuniteti Europian si një projekt prioritar dhe ka mbështetje nga qeveria zvicerane, e cila është gjithashtu në një proces lobingu. Sepse në fund të gjithë duan të fitojnë.

Ne sigurisht jemi të parët në listë, që me gazsjellësin mendojmë të zgjidhim njëherësh shumë halle. Jo vetëm të jemi një urë për Europën, por dhe të mbyllin vrimat e çatisë sonë. Ekspertët shprehen se kriza energjetike mund të përfundojë vetëm pas ndërtimit të gazsjellësit nga deti Kaspik. “Ndërtimi termocentraleve të reja, që do të punojnë me gaz do të jenë, padiskutim një zgjidhje për krizën”, pohon zv/ministri Alibali. Në takimin që është patur në Kroaci, pas  nënshkrimit të marrëveshjes për gazsjellësin Jonian Adriatic, IAP janë hedhur një sërë hipotezash për shndërrimin e Shqipërisë në një hambar të ruajtjes së gazit. Sipas Alibalit ne jemi një vend me kapacitete të mëdha mbajtëse të gazit nëntokë: “Ai mund të ruhet në verë dhe të shitet më shtrenjtë në dimër, ku dhe me të drejtë është dhe kërkesa më e madhe”. Kjo do të na sillte përfitime shumë të mëdha ekonomike, në një kohë kur rezervat e gazit kanë një rëndësi po aq të madhe sa dhe ato të naftës. Nga ana tjetër do të zgjidhte dhe nevojat e vendit për gaz. Në Shqipëri gjurma e tij do jetë 169 km. Ai lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazit në Selanik dhe futet në Shqipëri në qarkun e Korçës në Devoll, vazhdon në jug nëpërmjet Kolonjës, Përmetit dhe zonën e Tepelenës dhe hyn në rrethin e Vlorës dhe shkon në veri duke përshkuar zonën e Mallakastrës për të përfunduar në detin Adriatik afër Fierit. Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha është shprehur se duhet të shfrytëzohet maksimalisht pozicioni ynë gjeografik si më perëndimori i Ballkanit dhe se qeveria dhe ai personalisht kanë bërë fushatë për kalimin e këtij kapilari në Shqipëri. Kompania EGL, ndërkohë ka nisur të siglojë marrëveshjet me të gjitha vendet nga ku do të kalojë gazsjellësi, duke gjetur në këtë mënyrë si klientët ashtu dhe furnizuesin, që është Azerbajxhani. E gjendur përpara lojës së ngritjes së  çmimeve nga Rusia, Europa po përpiqet të gjejë rrugë të reja të furnizmit me gaz. Që janë  kryesisht nga deti Kaspik dhe Irani. Dy projektet, ai grek dhe zvicerian janë dy më të rëndësishmet që po konkurojnë fort njëri tjetrin. Këtë herë çështja i kalon kufijtë ekonomikë, duke u kthyer më shumë në një çështje gjeopolitike. Sepse kjo është lufta e gazit.  

Swiss power
“EGL”, ose Elektrizitaetsgesellschaft Laufenburg, është nën pronësi e Axpo Holding AG me 87% dhe ka 7.7 miliardë USD shitje vjetore. “EGL” ka planifikuar të ndërtojë disa TEC-e me gaz në Itali për të shfrytëzuar sasinë e gazit që do të sjellë.EGL, është një kompani që merret me tregëtimin e elektricitetit dhe gazit natyral. Ajo është prezent në pjesën më të madhe të tregut europian dhe gjithashtu prezent në bursën ndërkombëtare. EGL mbron interesat energjetike zviceriane, zotëron një impiant prodhimi gazi në Itali dhe mban kontratat afatgjata për paisjet energjetike me prodhuesit e energjisë në Francë. Gjithashtu është duke investuar në ngritjen e  kapaciteteve të veta prodhuese në tregjet kyçe europiane.  
Tratativat e grupit dhe aktivitetet e shitjeve fokusohen tek klientët e mëdhenj dhe të mesëm. Skuadra të specializuara në secilën prej vendeve përdorin zotësitë e vlerësuara të tregjeve të liberalizura pan europiane për të zhvilluar sigurimin e modeleve dhe kontratat të posaçme për këtë lloj tregu.
Gazi është burimi i dytë energjetik në Bashkimin Europian pas naftës dhe zë ¼ e nevojave energjetike. Ndërkohë që Irani është rezerva e dytë në botë për gazin pas Rusisë. Gazsjellësi Trans Adriatik është 520 kilometra i gjatë dhe do të vijë nga Greqia Perëndimore. Nga Greqia do të ndërtohet pjesa e mbetur e gazsjellësit për në Shqipëri e më pas për në Brindizi të Italisë.


10 nentor 2007
Publikuar ne revisten “Klan”

Me ndiq ne Twitter  @anduelan 

 

Comments ( posted):

Post your comment comment
// Rate this article
0