Home | Ekonomi | Kur leku rrit "pazarin"

Kur leku rrit "pazarin"

image

Paraja tani do të na kushtojë më shtrenjtë. Do të duhet të mendoheni më mirë, kur të merrni një kredi, pasi paguhet më shumë, por dhe të depozitoni më shumë. Të gjitha efektet, që sjell fryrja e lekut...


nga Anduela Nika
Rritet çmimi i ushqimeve, karburanteve, rritet kostoja e jetesës. Metri katror i banesave kushton më shtrenjtë nga viti në vit. Normale, kushdo i kupton këto. Por çdo të thotë të kushtojë paraja më shtrenjtë? Me pak fjalë, është të shkosh e të blesh para dhe të të kushtojë më shtrenjtë. Domethënë, të shkosh në sportelin e një banke, t’i japësh atë që ke ti (hipotekën e shtëpisë) dhe të marrësh atë që ka ajo, paranë me këste. Dhe të shtrenjtohet paraja, domethënë që me të njëjtën sasi nga ajo që ke ti (hipoteka) të marrësh më pak nga ajo që ka ajo (paraja). Do marrësh 100 lekë kredi, çdo lek që merr nga banka është kredi, por nuk do të kthesh 110 sa para 6 muajve, por 115. Domethënë parasë i është rritur vlera. Edhe paraja si çdo mall tjetër, shitet në dyqanet e veta. Ne shkojmë të blejmë para? Termi që përdoret është “të marrim kredi”. Dhe paguajmë po me para. Dhe nëse kjo që kthejmë vjen në rritje, atëherë themi se paraja na kushton më shtrenjtë. Kjo është me pak fjalë shtrenjtimi i parasë, që për bankierët shprehet me termin “rritje e normës bazë të interesit”. Kjo ka ndodhur dhe javën e kaluar me Bankën e Shqipërisë duke e çmuar me 0.25%. Interesi bazë i lekut është 5.75% nga 5.5% që ishte më parë. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, rritja e normës së interesit është bërë për disa arsye, një ndër të cilat është dhe rritja e kërkesës së brendshme, në sajë të ritmit të lartë të kreditimit dhe të kushteve monetare, të cilat kanë një karakter stimulues.
Rritja e normës së kredisë, pritet të frenojë kërkesën nga konsumatorët dhe të ulë paranë në qarkullim. Ky është dhe synimi i parë i Bankës së Shqipërisë. Kështu, banka frenon dhënien e kredive, duke barazpeshuar në njëfarë mënyre paranë në qarkullim. Rritja e lekëve në qarkullim, normalisht ushtron presion për inflacion. Pra, për zhvlerësim të parasë. Me rritjen e normës së interesit do të rritet automatikisht dhe norma e depozitave në banka. Që do të thotë se njerëzit do të kenë më shumë leverdi për të depozituar para në banka. Kjo bashkangjitur dhe me rritjen e interesit të bonove të thesarit, duke i bërë ato shumë më fitimprurëse për bankat dhe biznesin. Këto të fundit do të kenë mundësi që të rrisin fitimet e tyre, duke i qarkulluar paratë në bono thesari. Pra ajo që do të kemi është një ulje të investimeve private dhe rritje e investimeve të qeverisë. E thënë më shkoqur, paratë që mund të shkonin për kredi, pra për investime private, tanimë do të shkojnë për investimet e shtetit, me anë të bonove të thesarit. Eshtë e kuptueshme që me shtrenjtimin e kredive do të shtrenjtohet dhe kostoja e investimeve private. Në këtë pikë, është aktori qeveri që duhet të realizojë investime, duke krijuar vende të reja pune dhe një nivel më të lartë mirëqenieje. Nëse se kjo nuk është në barazpeshim me uljen e investimeve private nga rritja e interesit të kredive, do të kemi një frenim të rritjes ekonomike. Pra, një lloj dështimi në politikën ekonomike. Sipas ish ministrit të Ekonomisë, Anastas Angjeli të paktën një gjë është e sigurt, që Banka e Shqipërisë me këtë rritje të normës bazë të interesit u parapriu rreziqeve të inflacionit. Angjeli është i mendimit se kjo rritje nga Banka e Shqipërisë do të ndikojë në ndryshimin e interesit të depozitave dhe të kredive në bankat e nivelit të dytë.

Në planet kredituese të bankave ndikojnë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Rritja e normës bazë në 5.75 % është një faktor i jashtëm. Ndikimi i këtij faktori, sipas Erjon Taçe, drejtori i thesarit në Bankën Popullore do të konsistojë në kontributin e tij për uljen e ritmeve të rritjes së kredidhënies. Sepse në fund të fundit ky është edhe qellimi për të cilin është realizuar edhe ngritja e normës bazë nga ana e BSH. “Se si do të jetë trenda e kredidhënies pas kësaj, ajo do të përcaktohet nga bashkëveprimi i shumë faktorëve të tjerë që lidhen me bankën apo ambjentin financiar në Shqipëri”, pohon Taçe, i cili është i mendimit se ulja e ritmeve të kredidhënies mund të realizohet vetëm nëpërmjet shtrenjtimit të kredive të reja.
Ndryshimi i normës së interesit (rritja në këtë rast), sipas drejtorit të Thesarit në BP do të bënte që stoku i kredive të bëhet gjithmonë e më përfitues për bankën në kushtet e normave më të larta të interesit. Megjithatë ai mbështet faktin se fitimi përcaktohet nga shumë faktorë të tjerë dhe për më tepër nga diferenca e normave të interesit të kredive dhe depozitat dhe, jo vetëm nga normat e interesit të kredive. Maltin Korkuti, zv drejtor ekzekutiv i bankës Credins e sheh rritjen e normës së interesit nga BSH, si një mjet për shtrenjtimin e kredisë për të frenuar rritjen e inflacionit. “Si e tillë ajo do të ndikojë në njëfarë mase në uljen e kërkesës për kredi në lekë”, thotë Korkuti. Ndërsa përsa i përket fitimit të bankës, sipas tij kjo varet nga distanca e riçmimit që ka banka në një moment të caktuar në monedhën në të cilën ndryshon interesi bazë dhe nga politika që ajo ndjek për t’ju përshtatur ndryshimeve në treg.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë pikërisht në këtë moment me rritjen e normës së interesit, nuk shihet si e vonuar nga ekspertët, për sa kohë kushtet monetare mbeten ende në kahun akomodues të rritjes ekonomike. “Pastaj çatia rregullohet gjithnjë në verë”, ka thënë Guvernatori Ardian Fullani, duke iu referuar një shprehjeje anonime.
Natyrisht instrumenti kryesor i Bankës së Shqipërisë dhe bankave qendrore është norma e interesit dhe fakti që nga viti i kaluar bankat kanë reaguar me rritjen e normave të interesit dhe rritjen e yieldeve të bonove të thesarit tregon për një vëmendje më të madhe që i kushtojnë lëvizjeve të Bankës së Shqipërisë, për ankorimin e pritjeve inflacioniste.
“Natyrisht që në dy vjet e gjysmë, nga një normë kreditimi 7% ndaj PBB-së të shkosh në 29%, siç është programuar për vitin 2007 është një kalim i madh, i cili kërkon një prudencë mjaft të madhe jo vetëm nga Banka e Shqipërisë, por dhe nga sistemi bankar dhe financiar”, ka thënë Fullani, duke shpjeguar se rritja e normës bazë të interesit është një nga elementet, por Banka e Shqipërisë në paketën e saj rregullative në bazë të ligjit të sistemit bankar merr disa masa për prudencë akoma më të madhe në kushtet e dhënies dhe administrimit të kreditimit, në rritjen e qeverisjes së sistemit bankar, të kontrollit të brendshëm dhe njëkohësisht të transparencës si një nga elementet më të rëndësishme për rritjen e konkurrencës, e cila padiskutim do të bëjë të mundur dhe kontrollin sa më të mirë të dhënies së kredisë. Tek kjo e fundit beson më shumë dhe ekonomisti Anastas Angjeli. Rritja e kredisë në ekonomi do të frenohet, për shkak se do të jenë më të shtrenjta. Sipas Angjelit, kjo ndodh “sepse teprica e kredisë së sistemit bankar gjatë tremujorit të parë arriti në 217 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 20.3 miliardë lekë, ose 10.3 për qind”.

Tendenca në rritje e normës së interesit bazë në ekonominë shqiptare tregon për tendenca të vazhdueshme të presioneve inflacioniste. Sot këto presione, sipas drejtorit të Thesarit në Bankën Popullore, Erjon Taçe janë evidente në kushtet kur shpërndarja e shpenzimeve qeveritare është me fokusim në gjysmën e dytë të vitit. Duke u nisur nga kjo llogjikë, mund edhe të mendohet për një tjetër rritje të normës në muajt e ardhshëm. Megjithatë sipas Taçes kjo do te varet përsëri nga faktorë të tjerë: Ndryshime eventuale në të ardhurat e qeverisë, diferencat e normave të interesit midis lekut dhe valutave të tjera kryesore. Banka e Shqipërisë e ka rritur çmimin e lekut dy herë gjatë vitit që shkoi, duke e çuar atë nga 5% në 5.5% dhe tani me 5.75%. Një fuqizim akoma më i madh i lekut do të sillte efekte akoma më të mëdha në ekonominë vendase, duke krijuar një çbalancim me normat e interesit të valutave të tjera të forta, si euro apo dollari. Por ndoshta për këtë do të duhet të presim verën tjetër, pasi siç është shprehur dhe vetë Guvernatori, “çatia rregullohet gjithnjë në verë”!


7 korrik 2007
Publikuar ne revisten "Klan"

Comments ( posted):

Post your comment comment
// Rate this article
0